Kujdesi për tubin e gastrostomisë drenazhuese

Ndaj
Koha për të lexuar: Rreth 4 minuta

Ky informacion do t’ju ndihmojë të kujdeseni për tubin tuaj të gastrostomisë drenazhuese (g-tube).

Informacion rreth tubit të gastromisë drenazhuese

Figura 1. Një tub gastrostomie drenazhuese

Figura 1. Një tub gastrostomie drenazhuese

Një g-tube drenazhues është një tub që vendoset në stomakun tuaj për të drenazhuar lëngjet e stomakut (shih figurën 1). Ndihmon për të lehtësuar simptomat e përzierjes (ndjesia për të vjellë). Gjithashtu ndihmon për të lehtësuar simptomat e të vjellave që shkaktohen nga bllokimi në zorrë. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni më rehat.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të tubave të gastrostomisë. Në varësi të llojit që keni, do të ketë tre lidhje të ndryshme. Infermieri/ja do t’ju mësojë lidhur me llojin e tubit të gastrostomisë që keni. Infermieri/ja do t’ju japë gjithashtu këto mjete që t’i merrni me vete në shtëpi:

  • 1 kuti me garza 4 x 4.
  • 1 rul ngjitësi 1 inç.
  • 1 shiringë ujitëse 60 mililitra (mL).
  • 2 qese drenazhimi.
  • 2 kapakë për të futur tubin e gastrostomisë.
  • 1 Cath-Secure®.
  • Fashë Polyderm™.

Mjeku mund t’ju rekomandojë gjithashtu mjekime kundër dhimbjeve për të lehtësuar sikletin që mund të keni pranë tubit të gastrostomisë drenazhuese.

Kujdesi për lëkurën pranë tubit të gastrostomisë drenazhuese.

Kontrolloni lëkurën

Shihni çdo ditë nga afër lëkurën pranë tubit të gastrostomisë. Nëse vini re skuqje, ënjtje ose qelb (drenazhim i trashë, i verdhë ose i bardhë), tregojini mjekut.

Pastrojeni lëkurën

Pastrojeni lëkurën çdo ditë duke ndjekur udhëzimet e mëposhtme:

  1. Hiqni fashën e vjetër pranë tubit të gastrostomisë. Është normale të shihni njolla lëngu ose mukoze mbi fashë. Është normale të shihni gjak të vjetër ose kore pranë tubit të gastrostomisë.
  2. Lajeni lëkurën pranë tubit të gastrostomisë me sapun dhe ujë, duke pastruar lëngjet ose koret. Cekeni lehtë për ta tharë.
  3. Mbulojeni vendin e futjes me një garzë 4 x 4 ose me fashë bordure sfungjeri Polyderm.
  4. Bëjini lak tubit dhe fiksojeni me ngjitës ose me një Cath-Secure.

‌ Nëse tubi i gastrostomisë bie, mbulojeni pjesën e hapur me disa garza 4 x 4. Telefononi menjëherë mjekun. Mos hani ose mos pini asgjë.

Kujdesi për qesen e drenazhimit

Zbrazja e qeses së drenazhimit

Zbrazeni qesen e drenazhimit kur është mbushur rreth ⅓ deri në ½ ose afërsisht çdo 8 orë, cilado të ndodhë e para.

Pastrimi dhe ndërrimi i qeses së drenazhimit

Pastrojeni qesen e drenazhimit një herë në ditë nëse hani ushqime të buta. Nëse nuk hani, pastrojeni qesen çdo 3 deri 4 ditë.

Për ta pastruar qesen:

  1. Përzieni 1 pjesë uthull të bardhë me 3 pjesë ujë të ftohtë.
  2. Njomeni qesen në këtë solucion për 10 deri në 15 minuta.
  3. Lëreni qesen të thahet.

Mund të ndjeni përzierje ose të keni pak siklet kur tubi i gastrostomisë mbyllet (nuk është i hapur për drenazhim) ndërsa e pastroni dhe thani qesen. Nëse po, vendosni një qese tjetër.

Ndërrojeni qesen një herë në javë.

Vendoseni qesen e drenazhimit më poshtë se stomaku për të ndihmuar që lëngjet të kullojnë më shpejt.

Shpëlarja e tubit të gastrostomisë drenazhuese.

Mjeku mund t’ju thotë që ta shpëlani tubin e gastrostomisë. Nëse po, ndiqni udhëzimet e mëposhtme:

  • Shpëlajeni tubin e gastrostomisë të paktën një herë në ditë. Mund t’ju duhet ta shpëlani më shpesh nëse:
    • Lëngjet ose mukoza e trashë e stomakut e bllokon
    • Keni përzierje
    • Ndiheni të ngopur dhe nuk ndiheni më mirë pasi ngriheni.
  • Për ta shpëlarë tubin e gastrostomisë, ndiqni këto udhëzime:
    • Mblidhni mjetet që ju duhen:
      • 30 deri në 60 mL ujë (ose sasinë që ju thotë mjeku).
      • 1 shiringë 60 mL.
      • 1 kapak plastik për tubin.
      • 1 qese të pastër drenazhimi.
      • Peceta letre.
    • Zbrazeni qesen e drenazhimit.
    • Lajini duart me sapun dhe ujë të ngrohtë për të paktën 20 sekonda.
    • Vendosni peceta të pastra poshtë tubit të gastrostomisë për të përthithur drenazhimin.
    • Tërhiqni 30 deri në 60 mL ujë në shiringë, siç ju thotë mjeku.
    • Mbylleni me kapëse tubin e gastrostomisë.
    • Shkëputeni tubin e gastrostomisë nga qesja e drenazhimit dhe vendoseni qesen e drenazhimit anash.
    • Futni shiringën në hapësirën e tubit të gastrostomisë.
    • Lirojeni tubin e gastrostomisë dhe shtyjeni me vrull pistonin e shiringës.
    • Mbylleni me kapëse tubin e gastrostomisë.
    • Hiqeni shiringën dhe lidheni sërish tubin e gastrostomisë në qesen e drenazhimit.
    • Lirojeni tubin e gastrostomisë dhe lëreni të kullojë.
  • Nëse tubi i gastrostomisë nuk kullon asgjë, ose nëse keni pasur përzierje dhe nuk jeni ndjerë më mirë pasi e keni shpëlarë, thërrisni mjekun.

Të ngrënët dhe të pirët me tubin e gastrostomisë drenazhuese

  • Mjeku do t’ju thotë se kur të filloni të pini lëngje transparente pas procedurës suaj. Lëngjet transparente përfshijnë pijet e tilla si, limonata me xhinxher, lëngu i mollës, kafeja, çaji, lëngu i mishit, akulli me shije dhe xhelatina (si për shembull Jell-O®).
  • Qëndroni ulur drejt kur pini ose hani për të lejuar që ushqimet ose lëngjet të kullojnë në qesen e drenazhimit. Qëndroni ulur për 20 deri në 30 minuta pasi hani. Nëse nuk qëndroni, mund të keni përzierje. Nëse keni përzierje, kontrolloni për t’u siguruar që tubi i gastrostomisë nuk është shtypur. Kjo duhet t’ju bëjë të ndiheni më mirë.
  • Pasi të jeni në gjendje të pini lëngje transparente pa probleme, shtojeni me ngadalë dietën që të përfshini çdo lloj lëngu. Nëse nuk keni pasur asnjë problem pas 2 ditësh, mund të filloni të hani ushqime të buta ose të bëra pure. Bëjini pure ushqimet në një blender ose përpunues ushqimi.
  • Nëse hani ushqime që nuk janë bërë pure, duhet ta hani në copa të vogla dhe ta përtypni shumë mirë. Hani racione shumë të vogla. MOs hani më shumë se 4 filxhanë ushqim os emos pini më shumë se 1 litër 33,8 ons) lëngje në 24 orë. Sa herë që hani ose pini, do të humbni lëndë ushqyese të rëndësishme. Kjo ndodh ngaqë ato kullojnë në qesen e drenazhimit së bashku me ushqimin ose lëngjet. Dikush nga skuadra e kujdesit tuaj shëndetësor do t’ju mësojë se si të merrni vlerat ushqyese që ju duhen.

Shumica e gjërave që hani ose pini do të shkojnë përmes tubit në qesen e drenazhimit. Për shembull, nëse hani xhelatinë të kuqe, drenazhimi në qese do të jetë i kuq. Lëngjet e stomakut do të kullojnë në qese edhe nëse nuk keni ngrënë. Ngjyra e lëngjeve të stomakut do të variojë nga ngjyra jeshile deri në ngjyrë të verdhë të errët.

Shumica e njerëzve kanë nevojë për lëngje intravenoze (IV) kur janë në shtëpi në mënyrë që të mos dehidratohen. Mund t’ju vendoset një portë e implantuar (si për shembull një Mediport®) ose akses tjetër IV, si për shembull një kateter venoz (CVC) që të merrni këto lëngje. Nëse ju nevojitet akses IV, mjeku do të flasë me ju që t’ju vendoset një i tillë ndërsa jeni në spital.

Mbyllja me kapëse e tubit të gastrostomisë drenazhuese

Mbajeni gjithnjë tubin e gastrostomisë drenazhuese të hapur gjatë natës për të parandaluar aspirimin. Aspirimi ndodh kur ushqimi, lëngjet ose pështyma ju pengojnë rrugëkalimin e frymëmarrjes.

Mos e mbyllni me kapëse tubin e gastrostomisë drenazhuese në javën e parë, përveçse kur merrni mjekimet.

Marrja e mjekimeve me tubin e gastrostomisë drenazhuese

Mund t’i gëlltitni tabletat, por në fillim duhet ta mbyllni me kapëse tubin. Gjithashtu duhet ta lini tubin të mbyllur me kapëse për 15 deri në 30 minuta pasi merrni mjekimet.

Kur të telefononi ofruesin e kujdesit shëndetësor

Telefononi menjëherë mjekun nëse:

  • Keni temperaturë 101 °F (38.3 °C) ose më të lartë.
  • Keni ethe ose të dridhura.
  • Tubi i gastrostomisë zhvendoset ose bie.
  • Keni shenja gjakrrjedhjeje.
  • Keni dhimbje në vendin ku tubi i gastrostomisë futet në stomak, të cilat nuk përmirësohen kur merrni mjekim.
  • Keni përzierje dhe të vjella më të këqija se zakonisht.
  • Keni shenja skuqjeje, ënjtjeje, rrjedhje ose qelb mbi lëkurë ose pranë tubit.
  • Është e nevojshme që të ndërroni fashat më shumë se 3 herë në ditë ose tubi i gastrostomisë vazhdon të rrjedhë.

Përditësuar së fundi

E enjte, Shtator 7, 2023